>

PS kërkon ndëshkimin e Berishës në Parlament, por Topalli e rrëzon

User Rating:  / 0
PoorBest 

Topalli theksoi se u tregua tolerante ndaj deputetit të PS-së, Saimir Tahiri, pasi duhej ta përjashtonte atë se provokoi kryeministrin

Kërkesa e opozitës për ndëshkimin e kryeministrit Sali Berisha në adresë të Byrosë së Kuvendit rrëzohet nga mazhoranca. Propozimi i opozitës është hedhur poshtë dje pasdite në mbledhjen e Byrosë, e cila përbëhet më shumë nga deputetët demokratë. Madje ato kanë mbrojtur kryeministrin, duke akuzuar si provokues deputetët e PS-së, Sajmir Tahiri dhe Erjon Braçe. Deputetët demokratë kanë cilësuar si provokativë deputetët socialistë, të cilët në seancë ndërprenë fjalimin e liderit të mazhorancës. Këto qëndrime erdhën nga kryeparlamentarja Topalli dhe nënkryetari Ardian Turku. Më i ashpër në qëndrimin e tij ka qenë deputeti demokrat, Gent Strazimiri, i cili ka kërkuar që kryeparlamentarja të ndërhyjë dhe të ndëshkojë ata. “Ju kam thënë mos i falni, por i dënoni, se ndryshe këta kështu do vijojnë. Ju duhet të merrni masa ndaj zhurmuesve”, - mësohet të jetë shprehur Strazimiri. Ndërsa në një njoftimin zyrtar theksohej se, kërkesën e 9 deputetëve të PS-së, Byroja e hodhi poshtë si të pabazuar. Me dëshirën për një frymë bashkëpunimi për 12 prioritetet e BE-së, kryetarja e Kuvendit nuk përjashtoi nga punët e Kuvendit deputetin e PS-së, Saimir Tahiri, i cili në mënyrë të përsëritur, larg etikës parlamentare, në seancën e kaluar, ka shkelur nenin 64, 65 të Rregullores, duke tentuar të provokojë seancën plenare. Byroja, sipas njoftimit, i kërkoi kryetares së Parlamentit që të jetë e vëmendshme dhe rigoroze në zbatimin e Rregullores, sidomos në rastet e provokimeve nga deputetë përsëritës, sikurse është rasti i  Tahirit, i cili është dënuar edhe më parë për të njëjtat arsye.

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli u shpreh se, "ajo gjithnjë ka qenë dhe do të jetë e kursyer ndaj deputetëve në masat e rregullores për ndëshkim, sidomos në këtë periudhë, kur deputetët duhet të diskutojnë me sens të lartë përgjegjësie dhe të etikës së komunikimit, veçanërisht në sallën e Parlamentit.

Kërkesa e PS-së

Partia Socialiste kërkoi ndëshkimin e kryeministrit Sali Berisha për fyerjen e bërë në seancën e fundit parlamentare ndaj deputetit të saj, Sajmir Tahiri. Nëntë deputetët e PS-së, Vasilika Hysi, Besnik Bare, Eglantina Gjermeni, Eduart Shalsi, Enkelejda Shkreli, Fatmir Xhafaj, Ditmir Bushati, Ilir Gjoni dhe Dashamir Peza i janë drejtuar kryeparlamentares Topalli, si drejtuese e Byrosë, për të ndëshkuar kreun e PD-së. “Zonja kryetare, në seancën e datës 13 tetor 2011, deputeti Sali Berisha, në mënyrë të përsëritur gjatë fjalës së tij, përdori ndaj deputeteve të opozitës fjalë fyese dhe kërcënuese, duke shkelur jo vetëm çdo rregull etik dhe moral, por njëkohësisht dhe përcaktimet e Rregullores së Kuvendit sa i përket rregullit dhe sjelljes së deputetëve në Kuvend gjatë seancave plenare.

Deputeti Sali Berisha është drejtuar me fjalë fyese ndaj deputetëve të opozitës, duke mos kursyer as kërcënimet ndaj deputetit Saimir Tahiri, të cilit iu drejtua me shprehjen: ‘Do të ta bëj fytyrën më të zezë se këpucën’. Për më tepër, kjo shprehje dhe ky fjalor, është sjellje e përsëritur e të njëjtit deputet, edhe pse nuk është ndëshkuar kurrë siç parashikon Rregullorja e Kuvendit”, - thuhet në letrën e 9 deputetëve. Opozitarët më tej theksojnë se, “nisur nga kjo, socialistët kërkojnë ndëshkimin e kryeministrit për fjalorin e ushtruar në seancën e 13 tetorit. “Kërkojmë mbledhjen e menjëhershme të Byrosë së Kuvendit për të marrë masën disiplinore të ndalimit 15 ditë të pjesëmarrjes në seancë plenare ndaj deputetit Sali Berisha si dhe me sanksionim financiar të mbajtjes së pagës për aq ditë sa zgjat masa disiplinore. Me besim në korrektësinë dhe paanshmërinë e zbatimit të Rregullores së Kuvendit ndaj të gjithë deputetëve, pa asnjë përjashtim, bashkëlidhur firmat e deputetëve propozues”, - thuhet në letër.

Burimi: http://gazeta-shqip.com nga Bledar Hoti

© 2008 DurresWeb.com | Joomla Template by vonfio.de