Sot Shqipëria do të kishte 4 anije luftarake
- Details
- Category: Politike
- Hits: 202
Sipas gazetës “Ushtria” të datës 10 qershor 2011, Ministri Imami ka deklaruar në Ministerialin e Mbrojtjes së NATO-s që Shqipëria nuk ka kapacitete ajrore apo detare për të marrë pjesë në këtë operacion, që synon embargon e armëve dhe krijimin e zonës së ndalim fluturimit, por Shqipëria do të marrë pjesën e saj në ndarjen e kostove të fushatës së NATO-s në Libi. Ministri pra, pretendon se nuk ka kapacitete detare për operacione në kuadrin e NATO-s në Gjirin e Sirtes. Nëse do të ishte zbatuar Programi i Veçantë për Modernizimin e Forcave Detare i vitit 2007, sot Shqipëria do të kishte 4 anije luftarake me autonomi, fuqi zjarri dhe kompatibile me forcat detare të Aleancës për të kryer detyra patrullimi dhe ligjzbatuese (embargo zbatuese) deri në bregdetin libian.
Ja se çfarë përmbante ky plan: 4 anijet që do të prokuroheshin (në vitet 2008-2012 sipas Planit Afatgjatë të Zhvillimit për Periudhën 2007-2013) duhet të ishin të afta për të mbështetur me zjarr operacionet e bashkëveprimit me forcat e tjera, si edhe për shoqërimin e konvojit detar. Në karakteristikat e veçanta të këtyre anijeve spikaste kërkesa për të pasur autonomi të gjatë lundrimi për kryerjen e operacioneve të mundshme në det. Në mbi dhjetë oferta nga vende të NATO-s ose jo, vetëm dy oferta mund të gjykoheshin si të papërshtatshme: ajo italiane me anije patrulluese të përdorura alla “gabi’ të klasës Zara dhe ajo kroate. Ndërsa ofertat e tjera turke (Onuk MRTP33), çifute (shaldag II), kineze (Patrol boat II), australiane (austral ships), britanike (Vt Group PLC) etj., i përmbushnin dy kushtet e mësipërme. Oferta holandeze ndonëse moderne dhe me kushte tejet të mira për jetesën e ekuipazhit, ishte një tangërllëk i panevojshëm për marinën tepër modeste shqiptare. Anijet holandeze të tipit Damen Stan Patrol 4207 me vlerë totale 19,7 milionë euro të dala nga buxheti shqiptar nuk parashikonin asnjë lloj armatimi dhe konstruksioni i anijeve e bën absolutisht të pamundur instalimin madje edhe të një mitralozi tip DSHK kalibër 12,7 mm. Ofertat nga firmat e tjera përfshinin instalimin e mitralozave të rëndë, topave automatikë 20-40 mm, radarë dhe mjete vëzhgimi më cilësore (p.sh., oferta çifute), blind superior (ajo kineze) apo çmime më të pranueshme dhe avantazhe politike (ajo turke), si edhe shpejtësi deri në 50 nyje në vartësi të firmës, ndërsa anijet holandeze ofrojnë një shpejtësi maksimale prej 26 nyejsh, pra sa gjysma e konkurrentëve. Nëse do të pranoheshin ofertat e tjera në përputhje të plotë me Planin e Modernizimit, sot ne do të krenoheshim me anijet shqiptare që do të vepronin në përbërje të forcave NATO kundër dispozitivit detar të regjimit të Gedafit. Secila prej këtyre ofertave lejonte bunkerimin (furnizim me karburant) në det të hapur nga anijet mbështetëse të aleatëve të NATO-s dhe i siguronte anijeve shqiptare ose fuqi zjarri për t’i neutralizuar forcat speciale të Gedafit ose shpejtësi të mjaftueshme për t’u shmangur në kohë, nëse flota e Gedafit do të arrinte të nxirrte në det ndonjë nga anijet raketore vjetërsirat sovjetike të klasit Nanuçka apo Osa sidomos travers-portit Misurata bastion i rebelëve që në muajin maj. Fatkeqësisht, edhe programi i medemek-modernizimit të forcave tona me anijet holandeze nuk po shkon sipas parashikimit. Në marrëveshjen me firmën holandeze parashikohej, që anija e parë të vinte e gatshme nga Holanda brenda vitit 2008. Në Pashaliman do të montoheshin dy anije brenda vitit 2009 dhe një e tretë brenda vitit 2010. Tani, që jemi në vitin 2011, ende nuk ka përfunduar së ndërtuari as edhe një anije në kantierin e Pashalimanit. Duket qartë, që edhe në kushtet kur prokurohen anije pjesërisht të dobishme, me çmime të kripura nuk arrihet të plotësohen marrëveshjet e firmosura. I vetmi avantazh i dukshëm i anijeve holandeze ndaj ofertave konkurruese është kapaciteti i tyre antindotje. Ky kapacitet mund të konsiderohet i tepërt ose diçka luksoze për flotën luftarake shqiptare përderisa Delegacioni Italian i mbrojtjes kishte premtuar për këtë periudhë ti dhuronte flotës shqiptare dy anije të reja shumë moderne. Me dy anije të tilla përballohej çdo lloj ndotje mesatare. Në rast të një katastrofe detare automatikisht hyn në fuqi karta e NATO-s dhe për këtë janë të interesuara të bashkëpunojnë të gjitha vendet me dalje në Adriatik dhe Jon. Deklarata mjerane e ministrit Ministri shqiptar i Mbrojtjes pranoi para disa ditësh publikisht se Shqipëria nuk ka kapacitete detare për operacione në kuadrin e NATO-s në Gjirin e Sirtes. Kjo frazë e ministrit të Mbrojtjes i nxjerr kallajin mburrjeve pa fund të pushtetarëve shqiptarë për modernizimin e ushtrisë shqiptare, për përafrimin me standardet e NATO-s dhe broçkulla të tjera si këto. Kjo frazë tregon se deri në cilën pikë ka shkuar çarmatosja e ushtrisë shqiptare. Dëshmon gjithashtu për mospasjen e kapaciteteve për të ndërmarrë veprimtari të tjera përveç kërkim-shpëtimit, përballimit të emergjencave civile e ndoshta me shumë dyshim mbajtjes së rendit e qetësisë së brendshme. Nëse kjo gjendje e mjerë e ushtrisë shqiptare do të ishte rezultat i mungesës absolute të fondeve, ndoshta me dhembje do të mund të pranohej. Por kur është rezultat i shpërdorimit të investimeve miliona euroshe, i çarmatosjes së qëllimshme atëherë kemi të bëjmë me hajdutllëk të pështirë të kombinuar me elementë të tradhtisë kombëtare. Në artikullin përbri tregohet pikërisht çfarë ka ndodhur me fondet. Fatkeqësisht, as ish-ministri jo hajdut dhe jo trafikant Oketa nuk pati kurajë ta ndërpriste projektin e shtrenjtë dhe pak të dobishëm të prokurimit të anijeve holandeze. Si rezultat kemi ministrin Imami, që në takimet e NATO-s bën deklarata mjerane si ajo e cituar në fillim të artikullit përbri.







