Parlamenti Europian: Zgjedhjet dështuan, Shqipëria humbi shansin
- Details
- Category: Politike
- Hits: 209
Seancë e posaçme në Komisionin e Jashtëm të PE: Nuk u respektuan standardet
Përshkallëzohet ditë pas dite qëndrimi i Europës politike ndaj Tiranës zyrtare, duke dërrmuar rëndë procesin zgjedhor të 8 majit dhe duke paralajmëruar një izolim ndaj Shqipërisë. Dje është zhvilluar një seancë e posaçme e Komitetit të Jashtëm të PE-së, ku eurodeputetët e të gjitha krahëve, të majtë dhe të djathtë, kanë mbajtur të njëjtin qëndrim. Kreu i delegacionit për Ballkanin, Eduard Kukan, deklaroi së Shqipëria është në ngërç politik dhe zgjedhjet e fundit nuk ndihmuan që ta kalojë atë. “Kam frikë dhe jam i shqetësuar se këto zgjedhje nuk do të ndihmojnë Shqipërinë që të kapërcejë ngërçin politik”. Raportuesi për Shqipërinë, Nicolaos Chountis, paralajmëroi një krizë shpërthyese për shkak të mbivendosjes së krizës politike me atë ekonomike. “Këto zgjedhje nuk holluan aspak krizën politike, përkundrazi i hodhën benzinë zjarrit, siç e tha dhe zoti Kukan.
E ardhmja nuk duket rozë. Ka dhe një krizë ekonomike. Shqipëria po paguan e do paguajë kostot e krizës ekonomike brenda vendit e të fqinjëve të saj dhe duke i shtuar krizës politike dhe atë ekonomike, gjykoj se kombinimi do të jetë shpërthyes”, theksoi Chountis. “Vazhdimi i mbështetjes së pakushtëzuar ndaj njërës palë, do të na bënte të inkurajonim palën tjetër që të përshkallëzonte edhe më shumë, e të kishim më pas dhunë, për të mos thënë luftë civile”, u shpreh pas tij Viktor Bostinaru, nënkryetar i delegacionit europarlamentar për Ballkanin. Eurodeputeti tjetër grek, Georgios Koumoutsakos, që vëzhgoi zgjedhjet, u shpreh se procesi zgjedhor në Shqipëri nuk ka mbaruar, por standardet nuk u plotësuan dhe ai është dëmtuar përfundimisht. “Shqipëria nuk është më një demokraci e brishtë, sepse ka qenë në demokraci për dekada dhe këtë fakt kohor nuk mund ta injorojmë në vlerësimet tona. Është e qartë se procesi demokratik që funksionon atje nuk është i duhuri, ka probleme, nëse ne e krahasojmë me kriteret dhe standardet tona. Mendoj se ne nuk kemi zgjedhje përveçse ta lëmë atë fare”, tha Koumoutsakos. Delegacioni i posaçëm vëzhgues për 8 majin raportoi në Komitetin e Jashtëm Europarlamentar, ku u debatua për standarde të dyfishta në zgjedhje, votë familjare, bojën zgjedhore, problematikën e rezultatit paraprak e atij përfundimtar të KQZ-së mbi kryetarin e Bashkisë së Tiranës, nga fletët e paqarta të votimit deri te presionet dhe tensionimi i situatës. Konkluzioni ishte se procesi zgjedhor nuk ka mbaruar, ai është dëmtuar e përfundimisht rezultati nuk është ende i besueshëm. “Në disa raste vërejtëm votë familjare. Ne gjithashtu patëm përvojën e vonesave në hapje të qendrave të votimit dhe konfuzion në mbylljen e tyre”, vlerësoi Kukan. “Vota familjare, ndryshe nga ç'na u tha, ishte praktike që ekzistonte. Për ata që nuk e kuptojnë, shefi i familjes merr 3-4 karta identiteti e voton. Ne konstatuam se vendet e votimit ishin përzierë, ishin shumë pranë njëri-tjetrit, pra burrë-grua, apo babë e bir mund të votonin njëkohësisht dhe t'i tregonin njëri-tjetrit se si. Të tjera, përdorej celulari, megjithëse thuhej se ishte e ndaluar në hyrje të qendrës së votimit. Por, lehtësisht njerëzit flisnin të fotografonin votën e vetme të tyre, ku lejohej veç një kryq për partinë e zgjedhur. Pra, pasi vendosej kryqi, bëhej foto me celular, që më pas i tregohej ndonjë anëtari të qendrës së votimit, ose punëdhënësit se për kë kishin votuar. Pamë gjithashtu se njerëzit kishin bojë në gisht. Na u tha se ishte bojë që nuk hiqej e që kjo do të thoshte se me këtë shenjë, individët nuk mund të lejoheshin që të votonin në qendra të tjera votimi. Kështu na e shpjeguan. Në të parën qendër votimi që vizituam, vumë re se njerëzit iknin pa këtë shenjë në gishtin e tyre. Pyetëm çfarë po ndodh kështu. E na thanë: “Oh, nuk mund ta shihni, është bojë e padukshme”. Por në praktikë, boja nuk ishte vënë. E provova me zotin Kukan këtë bojë. Më mori 10 minuta për ta hequr nga gishti im lehtësisht. Zoti Kukan nuk tentoi t'i lante duart”, tha Mihail Tremopoulos, eurodeputet grek nga të Gjelbërit. “Herën e kaluar, kur socialistët kërkonin hapjen e kutive të votimit, zoti Berisha na tha se ishte e pamundur sepse ishte Kushtetuta që e ndalonte hapjen e çfarëdolloj kutie dhe ne e pranuam. Rroftë Kushtetuta! Duhet ta pranojmë atë si copën themeltare ligjore të një vendi. Por tani nuk duket se është ky rasti. Tjetra është se qeveria nuk kërkoi që të hapeshin kutitë për të gjitha qendrat e votimit në Tiranë, por vetëm disa prej tyre, madje më pak se kaq. U hapën vetëm ato kuti ku pretendohej se do të mbizotëronin fletët për vetëm një parti. E këtu dua t'ju bëj të qartë se procedurat janë tërësisht pa precedent. Pse? Sepse vetëm në një qendër votimi janë gjetur më shumë se 200 fletë votimi që kapërcejnë numrin e votuesve. Si ndodh kjo? Çfarë lloj mrekullie ndodhi në Tiranë?”, u shpreh më pas Bostinaru.
Burimi: http://www.gazeta-shqip.com







