>

A ka më vlerë vendimi që do të marrë KQZ-ja?

User Rating:  / 0
PoorBest 

Ditët e fundit është vënë re një tollovi e dhunë e pashoqe televizive. Ballafaqimet nëpër studio nisin me synimin për të hedhur dritë mbi këtë që po ndodh, por s’kalojnë pak minuta, dhe debati precipiton në zënka banale. Dhe askush nuk e ka më mendjen tek e vërteta. Ndoshta ky është qëllimi i zënkave të provokuara: të mos flitet për thelbin e çështjes. Po cili është ky thelb? Cila është e vërteta? E vërteta është se po bëhen një numër shkeljesh flagrante të ligjeve, praktikave, procedurave, precedentëve, kodit të sjelljes nëpër institucione etj., etj. Po përpiqem të veçoj disa paudhësi e gjëra që s’shkojnë në këtë histori:

Gjatë fushatës elektorale është transmetuar vazhdimisht një spot televiziv me autor KQZ-në. Ky spot ishte pjesë e fushatës zyrtare, që kish për qëllim informimin e publikut lidhur me të gjitha kurthet e yçklat procedurale në momentin e votimit. Dhe me anë të këtij spoti u tërhiqej vëmendja të gjithë votuesve të Tiranës mbi faktin se do t’u jepeshin në dorë katër fletë votimi (për kreun e Bashkisë, për Këshillin e Bashkisë, për kreun e Njësisë Bashkiake dhe për Këshillin e Njësisë Bashkiake), dhe secila prej tyre do të duhej të hidhej, jo në kutinë e parë që të del përpara, por në kutinë e vet, d.m.th. në kutinë që ka të njëjtën ngjyrë me të (fletën e votimit). Përndryshe – dhe kjo është pjesa më interesante e lajmërimit televiziv të KQZ-së – vota e hedhur në kutinë e gabuar do të konsiderohej e pavlefshme. Këtë spot e ka transmetuar pardje gjatë gjithë ditës televizioni “Vizion Plus”, por këtë herë jo për t’u treguar zgjedhësve se si do të duhej të votonin, por për t’i treguar opinionit publik se përkufizimi i votës së hedhur në kutinë e gabuar si votë e pavlefshme nuk është një shpikje postelektorale e opozitës, por një qëndrim i qartë dhe i prerë paraelektoral i vetë institucionit të KQZ-së. Dhe ky qëndrim është bazuar së pari në përcaktimet e Kodit Zgjedhor mbi votën e vlefshme e votën e pavlefshme, së dyti në një praktikë të adoptuar edhe në të shkuarën nga KQZ-ja (në vitin 2007), dhe në rekomandimet e OSBE-ODIHR-it (po në vitin 2007).

Kodi Zgjedhor përcakton qartë radhën e punës së KQZ-së në periudhën që fillon me mbylljen e kutive të votimit dhe përfundon me shpalljen e rezultateve të zgjedhjeve: fillimisht shpallet rezultati paraprak, dhe më pas merren në shqyrtim ankimimet. Në kodin e ri të vitit 2008 nuk është parashikuar një KZAZ qendrore për Tiranën, e cila do të duhej të mblidhte të dhënat e KZAZ-ve të njësive bashkiake, dhe të shpallte rezultatin. Rolin e kësaj KZAZ-je e luan (sipas kodit) vetë KQZ-ja. Mirëpo KQZ-ja e Ristanit pikërisht këtë gjë nuk e ka bërë e nuk po e bën; përkundrazi, është duke u marrë me ankimimet. Në fakt, KQZ-ja bëri përllogaritjet e rezultateve hap pas hapi për kryetarin e Bashkisë së Tiranës deri në kutinë e fundit të Njësisë Bashkiake nr. 5, dhe krejt befas këtu u ndal. Procesi nuk u la të finalizohej. Rezultati nuk u shpall.

KQZ-ja ka marrë një vendim më datë 16 maj 2011, d.m.th. tetë ditë pas ditës së votimit. Është vendimi nr. 650 (duhet ta keni në faqen zyrtare online të KQZ-së; nëse janë aq “budallenj” sa ta kenë lënë ende aty). Është një vendim “mbi miratimin e procedurave për nxjerrjen e tabelës përmbledhëse të rezultateve për zonën zgjedhore, Bashkia Tiranë, për zgjedhjet vendore të datës 8 maj 2011”. Duke interpretuar këtë vendim me fjalë fare të varfra, rezulton që KQZ-ja e vë veten përballë detyrimit ligjor për të shpallur fillimisht rezultatin e garës në Tiranë. Më qartë s’ka si bëhet. Mirëpo një ditë më pas (me sa duket, Ristanit i kanë tërhequr veshin mbi këtë “idiotësi”), KQZ-ja ka marrë një vendim tjetër, që anulon vendimin e parë, e që synon të legjitimojë atë që Ristani e Co. janë duke bërë prej ditësh. Vendimi i parë është marrë në mënyrë konsensuale, ndërsa vendimi i dytë është marrë me votat e katër anëtarëve kundër tre të tjerëve. Ku është ky vendim? Nuk gjendet asgjëkund. As print, as online. Askush nuk e ka në dorë. E ka vetëm Ristani në mendje. Dhe kështu KQZ-ja po vepron mbi bazën e një vendimi të papublikuar.

KQZ-ja po merret me shqyrtimin e votave të kontestuara në Bashkinë e Tiranës. Vetëm në këtë bashki. Pse vallë? Sepse gjetkë, thonë, diferenca mes vendit të parë e vendit të dytë është më e madhe se sa shuma e votave të kontestuara e të konsideruara të pavlefshme, rrjedhimisht rivlerësimi i tyre nuk do të sjellë asnjë efekt. Me këtë logjikë i bie që rivlerësimi i votave të kontestuara të legjitimohet me efektin e pritshëm e jo me parimin “e llogaritjes së çdo vote”. Nëse KQZ-ja do të vihej në lëvizje nga parimi “i llogaritjes së çdo vote e numërimit të çdo vullneti politik të shprehur brenda kutisë së votimit”, atëherë vendimi i saj do të duhej të kish se s’bën karakter normativ, d.m.th. do të duhej të aplikohej në të gjithë vendin e për të gjitha votat e hedhura në kutitë e gabuara. Mirëpo KQZ-ja jonë nuk vihet në lëvizje nga parimi; vihet në lëvizje nga ndjeshmëritë politike të palëve.

Nuk ka mbetur njeri pa ndjekur live atë që ka ndodhur këto ditë në KQZ. E nuk janë vetëm shkeljet e ligjit e të procedurave që bien në sy. Bie në sy mbi të gjitha sjellja dhe gjuha rrugaçërore që sundon aty. Flitet gjithë kohën me “ti”, dëgjohen fraza të llojit “po hë, fol se na plase”, “mirë, e mora vesh”, “qepe gojën”, “hiqja fjalën atij qerosit”, “ti je shumë plakë e duhet të kesh kujdes shëndetin” etj., etj. Në ndonjë moment ka pasur dhe kacafytje fizike mes palëve. E dini? Edhe sikur ato shkeljet e ligjeve që numërova më sipër të mos ekzistonin, do të mjaftonte ky kod i shëmtuar komunikimi në marrëdhëniet mes anëtarëve të KQZ-së, për të vënë në dyshim përfundimet e nxjerra dhe vendimet e marra në këtë institucion.

Burimi: http://www.gazeta-shqip.com nga Mustafa Nano

© 2008 DurresWeb.com | Joomla Template by vonfio.de