Hoteleve në vend u “shpërndahen” yjet
- Details
- Category: Turizem
- Hits: 1342
Vlerësuesit, të trajnuar nga ndërkombëtarët “matës” për higjienë, siguri, mjedis, identitet
Viti 2011 ka nisur me risi për turizmin. Ideja dhe projektet e shumëpërfolura për vite me radhë, po “futet në shina” pas një programi specifik të USAID-it, ekskluzivisht për turizmin.“Shqipëria e vërtetë” ose “Authentic Albania” do të jetë marka e cilësisë për hotelet shqiptare, të cilat do t’i nënshtrohen një vlerësimi me vlerësues të trajnuar sipas standardeve ndërkombëtare. Pas raportit përfundimtar, ku do të renditen të gjitha pikat dhe standardet e plotësuara apo jo të subjekteve që mirëpresin një juri vlerësuesish, bëhet edhe vendosja e yjeve apo klasifikimi i hotelit në bronz, argjend apo ar.Vlerësuesit japin pikët në bazë të disa shtyllave klasifikimi, ndër kryesoret janë
infrastruktura, mjedisi, lehtësitë për personat me aftësi të kufizuara, zhvillimi i zonës, identiteti kombëtar, cilësi shërbimi e saktësi për rregullat e punësimit.Brenda një periudhe gjashtëmujore janë bërë vlerësimet për 20 hotelet e para, të cilat do të rivlerësohen pas dy vjetësh. Ceremonia është mbajtur në sallën e ndarjes së çmimeve në Ministrinë e Turizmit. Drejtuesve të hoteleve u është dhënë çmimi i cili do të qëndrojë në hyrje të derës së tyre, për çdo qytetar që do të kuptojë se me sa yje është vlerësuar subjekti ku do të qëndrojnë.
Programi
Programi i USAID-it rritje Albania, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, si edhe Shoqata e Turizmit Shqiptar inauguruan një program të ri në mbështetje të industrisë së turizmit shqiptar. Programi i markës së cilësisë “Authentic Albania” mbështet biznese të sektorit të turizmit në Shqipëri duke ndërtuar një sistem që ofron standarde të cilësisë për produktet e hotelerisë, duke u ofruar bizneseve mundësi të reja për zhvillim. Ky program do të jetë i pari i këtij lloji që vlerëson cilësinë e njësive akomoduese në Shqipëri.Struktura e markës së cilësisë “Authentic Albania” është ndërtuar mbi 37 kriteret ndërkombëtare të zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit, një iniciativë globale e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në mbështetje të zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit dhe programe të ngjashme janë mbështetur nga USAID-i në Kroaci, Bullgari dhe më së fundmi në Maqedoni.
Vlerësimi
Drejtori i misionit të USAID-it në Shqipëri, Xhozef C. Uilliams, ministrja e Turizmit në detyrë, Suzana Turku, dhe presidenti i ATA-s, Enver Mehmeti, mbajtën fjalë përshëndetëse para pak kohësh në ceremoninë e shpërndarjes së çmimeve të 20 hoteleve të para që marrin markën e cilësisë “Authentic Albania”.Tri çmimet e “Authentic Albania”: i Artë, i Argjendtë dhe i Bronztë u vendosën në bazë të sistemit së cilësisë, i cili vlerëson njësitë akomoduese në shtatë dimensione kyçe, të cilat së bashku reflektojnë kërkesat e udhëtarëve për profesionalizëm, siguri, cilësi dhe rehati, si edhe nxisin praktikat e turizmit të qëndrueshëm. Vlerësimet kryhen nga një grup vlerësuesish të pavarur, të trajnuar nga ekspertë ndërkombëtarë mbi sistemin e markës së cilësisë. Rezultatet e vlerësimeve shqyrtohen nga një Komitet Çmimesh, anëtarët e të cilit vijnë nga organizata qeveritare, donatorë, institucione akademike dhe shoqëria civile.Fituesit e çmimeve përfaqësojnë një grup të përzgjedhur njësish akomoduese shqiptare që mund të ekspozojnë simbolin e markës së cilësisë “Authentic Albania” dhe të përfitojnë nga shërbimet promocionale dhe të marketingut që do të ofrohen nga ATA. Të gjitha çmimet e “Authentic Albania” janë të vlefshme për 2 vjet, një periudhë pas së cilës njësitë duhet të vlerësohen rishtazi për të vazhduar të jenë pjesë e programit.
Burimi: http://www.gazeta-shqip.com nga Lorina Mixha







