Mbytet doku i anijeve, mbyllet kantieri detar i Portit të Durrësit
- Details
- Category: Nga Durresi
- Hits: 230
Avaria
Mbyllet Kantieri Detar i Durrësit, i vetmi në vend për riparimin dhe dikur ndërtimin e mjeteve lundruese. Një defekt në sistemin e pompave ka shkaktuar fundosjen e dokut të anijeve në basenin portual të Durrësit. Fundosja ka ndodhur gjatë manovrave për ta nxjerrë dokun nga porti, pasi kompania turke po bën zhvendosjen e të gjitha pajisjeve të saj. Ngjarja ka alarmuar autoritetet detare, të cilat kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe kanë ndjekur nga afër veprimet për mbajtjen nën kontroll të dokut lundrues, kryesisht për të penguar zhvendosjen e tij që mund të sjellë pasoja në ankorimin e trageteve a lëvizjen e anijeve të peshkimit. Terminali i trageteve dhe kalata e peshkimit ndodhen pranë kantierit detar. Në kuadër të Masterplanit për Portin e Durrësit, kompania turke “Durrës Kurum Shipping” sh.a. po bënte çmontimin e dokut dhe lënien e krejt kantierit që do t’i kalojë në administrim Autoritetit Portual Durrës. Situata e krijuar në port nga mbytja e dokut sipas drejtuesve të Drejtorisë së Përgjithshme Detare pritet të zgjidhet brenda kësaj fundjave nga kompania turke. Mësohet se për nxjerrjen e tij do të përdoren metoda dhe mjete speciale, që pritet të vijnë nga Turqia. Hapësira që për disa dekada shërbeu si kantier për ndërtimin dhe riparimin e anijeve pushon së funksionuari, pasi në masterplanin portual të miratuar dy vite më parë nga qeveria territori do të shfrytëzohet për shërbime portuale si terminal çimentoje dhe pjesë e terminalit të trageteve.
Masterplani
Në vjeshtën e vitit 2009, qeveria doli me një vendim për kalimin e territorit të kantierit detar në administrim të APD-së, në zbatim të masterplanit portual mbi të cilin po kryhet zhvillimi i tij. Mbi bazën e VKM-së përkatëse, u autorizua Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit që në zbatim të masterplanit, të negocionte me “Kurum” për kalimin e territorit të kantierit në administrimin e Autoritetit Portual Durrës. Territori i kaluar në administrim të Autoritetit Portual Durrës sipas vendimit do të destinohet për shërbime portuale. “Durrës Kurum Shipping” sh.a. ishte aksioneri kryesor me 51 për qind të aksioneve në ortakëri me shtetin shqiptar që ka pjesën tjetër të aksioneve. “Kurum” mori aksionet e lëna nga kompania polake Gdansk sh.a.
Historia
Kantieri Detar i Durrësit e arriti kulmin e tij, sipas specialistit Albert Garori në periudhën mes viteve 1967-1985 kur filloi ndërtimi i anijeve metalike. "Në 1985-n u ndërtua edhe anija e tonazhit 2200 BRT, si dhe një numër i konsiderueshëm anijesh të tjera si transporti, anije peshkimi metalike të tonazheve të vogla dhe të mesme etj. Krahas ndërtimit të anijeve metalike kryheshin riparime kapitale të anijeve të të gjitha tonazheve, në të gjithë tërësinë e anijes me një cilësi të lartë", shkruan në librin e tij "Anijet Detare" Garori, duke e vlerësuar eksperiencën e krijuar në këtë fushë nga kantieri si një pasuri kombëtare, e cila ishte e trashëguar prej më shumë se 50 vjetësh pune dhe vështirësish nga një personel i kualifikuar.
Burimi: http://www.gazeta-shqip.com nga Vali Qyrfyci







