CHAT

Serie A

>

Katër burgime për jetë Bandave të Durrësit

User Rating:  / 0
PoorBest 

Ka marrë fund dje një nga proceset më të gjata në Gjykatën për Krime të Rënda, ai i Bandave të Durrësit, organizata kriminale pjesëtarët e së cilës akuzohen për disa ngjarje në vitin 1997-2005; 9 vrasje, 2 plagosje, një pengmarrje dëshmitari dhe dhjetëra atentate. Seanca filloi rreth orës 10:00, gati një orë me vonesë për shkak të mungesës së avokatëve, ndërsa rreth orës 15:45, trupi gjykues me në krye Gurali Brahimllarin u tërhoq për të dhënë vendimin. Gjykata në verdiktin e saj ka lënë në fuqi kërkesën e prokurorëve për katër prej anëtarëve të këtyre bandave, dy kapove të tyre, Lulzim Berisha e Indrit Dokle si dhe Indrit Taullain e Plaurent Dervishajn, në mungesë. Krimet e Rënda, gjatë vendimit përfundimtar për 16 anëtarët e bandës ka dënuar me disa vite burg 12 prej tyre, që variojnë nga 21 deri në 25 vjet dhe vetëm 10 vjet burg për të penduarin dhe bashkëpunëtorin e drejtësisë, Adriatik Coli. Ky i fundit ka zbardhur mënyrën e funksionimit të bandës, duke treguar hollësitë e krimeve të realizuara nga banda e Durrësit. Coli ka dhënë provat për autorësinë e secili prej episodeve kriminale.

Prokurori Anton Martini kishte kërkuar burgim të përjetshëm për personat e sipërcituar dhe gjykata nuk e ka ndryshuar kërkesën e prokurorisë edhe pasi ka dëgjuar pretendimet e avokatëve. Madje, edhe dënimet për të akuzuarit e tjerë ishin thuajse në përputhje me kërkesën e prokurorit Martini.

Hakmarrja e ashpër mes grupeve rivale shkaktoi dhjetëra viktima. Lulzim Berisha u arrestua në 2006, në Maqedoni.

Nëntë ekzekutime, pesë atentate si dhe rrëmbimi për 18 muaj i dëshmitares së një vrasjeje, janë vetëm disa nga krimet që dyshohet se kanë kryer të cilësuarit si anëtarë të “Bandave të Durrësit”. Për të provuar morinë e akuzave të ngritura ndaj 16 të pandehurve që u gjykuan së bashku në një proces në Gjykatën e Krimeve të Rënda, Prokuroria paraqiti një mori provash, mes të cilave dhe listën me emrat e 194 dëshmitarëve, që provuan se kishin dijeni për krimet makabre të ndodhura në harkun kohor 1997-2005, në qytetin bregdetar. Në këtë listë binin në sy emra të njohur të botës së krimit në qytetin e Durrësit, emra të njohur të biznesit, si dhe jo pak të akuzuar për krime të rënda. Një tjetër provë e fortë që Prokuroria paraqiti në këtë proces të gjatë ishte dëshmia e të penduarit Adriatik Coli, i cili ka rrëfyer të gjitha ngjarjet ku ishin përfshirë bandat, në të cilat bënte pjesë dhe vetë ai.

Hetimi për anëtarët e Bandave të Durrësit nisi në prill të vitit 2005, pas vrasjes së Klodian Saliut. Gjatë hetimeve rezultoi se Lulzim Berisha dhe Klodjan Saliu (aktualisht i vrarë), që nga viti 1997 e në vazhdim kishin krijuar dhe drejtuar një organizatë kriminale, në të cilën bënin pjesë të pandehurit Plaurent Dervishaj, Indrit Taullaj, Adriatik Coli, Indrit Dokle, si dhe Ilir Xhunga dhe Arben Paja, edhe këta të vrarë. Teksa prokuroria hetonte vrasjen e Saliut, arriti të zbardhte një tjetër vrasje, atë të 17 tetorit të vitit 1998, ku mbeti i vrare shtetasi Dritan Sallaku dhe u plagosën Ilir Nela dhe Agim Rexhepi. Me pas u ekzekutuan edhe Arjan Paja e Viron Curri, si dhe u plagos Marsel Sotiri, i cili u vra më vonë. Seriali ka vazhduar deri në vitin 2007, kur u kapen edhe pjesa tjetër e të kërkuarve në Tiranë e Durrës.

Burimi: www.gazeta-shqip.com

Artikull nga Luan Kondi

 

 

Share this post

© 2008 DurresWeb.com | Joomla Template by vonfio.de