CHAT

Serie A

>

Importi i Plehrave, dorëzohet në KQZ kërkesa për referendum

User Rating:  / 0
PoorBest 

Pas protestave kundër miratimit të ligjit për menaxhimin e mbetjeve, përfaqësuesit e shoqërise civile, kanë nënshkruar një kërkesë, për shfuqizimin e dy neneve të këtij ligji përmes referendumit. Kjo kërkesë është depozituar sot në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, i cili do të vendosë nëse pranohet. “Paraqitëm sot kërkesën tonë zyrtare në mënyrë që populli shqiptar të shprehet nëse është pro apo kundër importit të mbetjeve në Republikën e Shqipërisë. Shpresojmë që KQZ ta marrë në konsideratë dhe të na japë fletët-tip të plotësimit të firmave të qytetarëve të republikës dhe ne menjëherë do të fillojmë që të marrim 50 mijë firmat që nevojiten për këtë referendum”, deklaron ambientalisti, Lavdosh Farruni. Blendi Kajsiu ka sjellë në vëmendje, korrupsionin e mbetjeve mes Italisë dhe Kinës që është denoncuar këto ditë në mediat e huaja, dhe që mund të prekë shumë shpejt edhe Shqipërinë. “Kur fenomene të tilla ndodhin mes dy shteteve të largëta, dhe kaq të mëdha sic është Italia dhe Kina, imagjinoni se sa problematike është cështja e importit të mbetjeve për vende të vogla dhe të pambrojtura si Shqipëria. Kjo është një cështje prezente edhe në mediat e huaja dhe një shqetësim edhe për vetë Perëndimin dhe i tillë duhet të jetë edhe për në”, deklaron zoti Kajsiu. Përfaqësuesit e shoqërisë civile kanë risjellë në vëmendje vendime të mëparshme të qeverisë të cilat edhe pse janë kontenstuar fort nuk janë shfuqizuar. “Është hera e dytë që vij në këtë godinë, pasi në kemi kërkuar gjashtë vjet më parë referendumin për parkun energjitik. Koha e provoi që ne kishim të drejtë dhe vendimi i KQZ-së për të mos e lejuar referendumin ishte i gabuar”, deklarojnë përfaqësues të shoqërisë civile. Grupi nismëtar, ka argumentuar të gjitha pikat e këtij ligji, një pjesë e të cilave bie ndesh me Kushtetutën, por edhe me prioritetet e qeverisë për zhvillimin e turizmit. Nga ana tjetër Shqipëria është një vend që nuk ka as infrastukturën dhe as kapacitetin njerëzor për monitormin e importit të mbetjeve.

Me poshte, kerksa e plote per referenduam dorezuar sot ne KQZ

Drejtuar:

Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Tiranë.

Lënda:

Kërkesë për pajisjen me fletët tip për Referendum të Përgjithshëm lidhur me shfuqizim e një pjese të Ligjit Nr. 10463, Datë 22. 09. 2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”.

Baza Ligjore:

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, neni 150, pika 1; Ligji Nr. 10019, Dt. 29.12.2008, Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë, Neni 85, pika 2; Ligji Nr. 9087, Dt. 19.06.2003, Kodi Zgjedhor, Pjesa e Nëntë, neni 126 pika 2, 3 dhe 4, neni 127.

Objekti:

Shfuqizim i një pjese të Ligjit Nr. 10463, Datë 22. 09. 2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” , përkatësisht Nenet 22 “Rrjeti i integruar i impianteve të trajtimit të mbetjeve”, pika 3 dhe Neni 49 “Importi i mbetjeve jo të rrezikshme”.

Në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë si dhe legjislacionin në fuqi, grupi nismëtar parashtron kërkesë për pajisjen me fletët tip për  Referendum të  Përgjithshëm me objekt “Shfuqizim i një pjese të Ligjit Nr. 10463, Datë 22. 09. 2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” , përkatësisht  Nenet  22” Rrjeti i integruar i impianteve të trajtimit të mbetjeve”, pika 3 dhe Neni 49 “Importi i mbetjeve jo të rrezikshme”.

 

Argumentet e paraqitur nga grupi nismëtar për shfuqizimin e neneve të sipërcituara:

1. Përpunimi, depozitimi dhe asgjësimi i mbetjeve, klasifikohen si industri me shkallë të lartë ndotje. Nenet 22, pika 3 dhe 49 të Ligjit nr. 10463, datë 22. 09. 2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” (më pas “Ligji MIM”), duke lejuar importin e mbetjeve, kontribuojnë në shtimin e ndotjes të mjedisit, përtej ndotjes së krijuar nga menaxhimi i mbetjeve të gjeneruara brenda vendit, duke prodhuar një efekt kumulativ të ndotjes. Kjo ndotje shtesë do të shkelte në mënyrë flagrante nenin 59 të Kushtetutës pika 1, germa d dhe dh: “Shteti, brenda kompetencave kushtetuese dhe mjeteve që disponon, si dhe në plotësim të nismës dhe të përgjegjësisë private, synon: d) një mjedis të shëndetshëm dhe ekologjikisht të përshtatshëm për brezat e sotëm dhe të ardhshëm; dh) shfrytëzimin racional të pyjeve, ujërave, kullotave dhe burimeve të tjera natyrore mbi bazën e parimit të zhvillimit të qëndrueshëm”.

2. Menaxhimi i mbetjeve të importit kërkon fonde shtesë publike (menaxhim, kontroll, monitorim, pastrim ndotje, shëndetësi, etj)  dhe hapësira publike shtesë për minimizimin e efektit të tyre në mjedis e shëndet. Në këtë mënyrë, shteti shqiptar shpenzon fondet e tij publike në funksion të përpunimit dhe depozitimit të mbetjeve, që prodhohen jashtë Shqipërisë.

3. Nenet 22 , pika 3 dhe Neni 49 , që lejojnë importin e mbetjeve, bien ndesh  me objektin e ligjit MIM (neni 2, pika 1), në të cilin thuhet “Dispozitat e këtij ligji zbatohen për menaxhimin e mbetjeve në territorin e Republikës së Shqipërisë”.

4. Nenet që lejojnë importin e mbetjeve (Nenet 22 , pika 3 dhe Neni 49) bien ndesh  me objektin e ligjit MIM, në nenet 1 dhe 6 të tij, që synojnë parandalimin e mbetjeve.  Neni 1 bën të qartë se qëllimi i ligjit është të mbrojë mjedisin dhe shëndetin e njeriut nëpërmjet: “parandalimit ose pakësimit të ndikimeve negative nga gjenerimi dhe menaxhimi i mbetjeve”. Neni 6: “Përparësitë e menaxhimit të mbetjeve” thotë se përparësi në menaxhimin e mbetjeve i jepet parandalimit të mbetjeve”. Në të dyja rastet prioritet është reduktimi i mbetjeve.  Ndërsa lejimi i importit të mbetjeve nuk ndihmon në parandalimin apo reduktimin e mbetjeve në territorin e Republikës së Shqipërisë, përkundrazi e përkeqëson situatën, duke e bërë ligjin jo funksional .

5.  Nenet për importin e mbetjeve bien në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit.   Ligji  nr. 10431 datë 9.6.2011 Për Mbrojtjen e Mjedisit ka si qëllim: “mbrojtjen e mjedisit në një nivel të lartë” dhe ”sigurimin e kushteve për zhvillim të  qëndrueshëm të vendit”.  Në nenin 7 të këtij ligji sanksionohet “Parimi i parandalimit”. Importimi i mbetjeve nuk kontribuon në parandalimin, përkundrazi e kompromenton atë.

6. Shqipëria siç konstatohet dhe në shumë dokumente, si p.sh: Strategjia e menaxhimit të mbetjeve, Raportet e BE-së për Shqipërinë, etj.  nuk disponon infrastrukturën dhe kapacitetet njerëzore për kontrollin dhe monitorimin e importit të mbetjeve. Për nga vetë karakteristikat e tij: volumi i madh, paketimi në dimensione të mëdha, vështirësi në hapjen e paketimeve, procesi i  monitorimit të importit të mbetjeve bëhet shumë më i vështirë. Për pasojë, rritet mundësia për futjen ilegalisht të mbetjeve me rrezikshmëri të lartë dhe ndotësve persistentë.

7. Shqipëria është një vend i pasur me burime ujore sipërfaqësore dhe nëntokësore. Një sasi më e madhe e mbetjeve, sado i lartë qoftë standarti i menaxhimit të tyre rrit në mënyrë eksponenciale rrezikun e ndotjes së mjedisit si rrjedhojë e damarëve ujorë të shumtë të Shqipërisë, që mund të përhapin gjerësisht ndotjen e krijuar nga përpunimi dhe depozitimi i mbetjeve.

8. Importi i mbetjeve bie në kundërshtim me prioritet e shpallura e të konsoliduara të deritashme në ekonominë e vendit, si turizmi e bujqësia. Importi i mbetjeve dëmton mjedisin dhe imazhin  e Shqipërisë, duke dëmtuar potencialin turistik dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit. Importi i mbetjeve bie ndesh me Ligjin “Për Planifikimin e Territorit” nr. 10 119, datë 23.4.2009, pasi krijon një industri, e cila mund të mos jetë fare pjesë e Planit të Përgjithshem Kombëtar, që është detyrim ligjor, shprehur në Ligjin për Planifikimin e Territorrit.

9. Importi i mbetjeve bie ndesh me prioritetin që duhet te ketë trajtimi i mbetjeve që prodhohen nga tregu shqiptar.  Kjo do të thotë që Qeveria me politika stimuluese fiskale, siç janë heqja e TVSH-së apo subvencionet, duhet që të stimulojë industrinë e riciklimit që të trajtojë mbetjet lokale.  Lejimi i importit i bën të pamundura politika të tilla shtetërore, pasi shteti shqiptar nuk mund të subvencionojë trajtimin e mbetjeve që vijnë nga jashtë.  Për më tepër, importimi i mbetjeve nga jashtë ul interesin për trajtimin e mbetjeve, që prodhohen brenda territorit tonë.

10.  Nenet për importin e mbetjeve bien në  kundërshtim me direktivën e BE-së për zbatimin e “Parimit të Vetëmjaftueshmërisë dhe Afërsisë.” Sipas direktivës 2008/98/EC (Artikulli 16) që presupozohet  të jetë e  transpozuar në mënyrë të plotë, çdo vend duhet të synojë të menaxhojë mbetjet e veta dhe mbetjet duhet të trajtohen sa më afër burimit të prodhimit.

11. Konventa e Bazelit, ku Shqipëria është palë,  parashikon të drejtën sovrane të çdo vendi anëtare për ndalimin e importit të mbetjeve.

12. Protokolli i Kiotos, ku Shqipëria është palë, kërkon një reduktim të emetimeve të CO2 dhe përqasjen me strategjitë e BE-së, që kërkon një reduktim 20% të CO2 deri në vitin 2020, krahasuar me vitin 1990. Importi i mbetjeve shton në mënyrë të konsiderueshme CO2 dhe gazrat serë për frymë dhe për njësi të sipërfaqes.

13. Kjo kërkesë është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Sa më sipër janë argumentat e parashtruar nga grupi nismëtar në mbështetje të kërkesës. Jemi të gatshëm që në çdo rast të paraqesim sqarime të mëtejshme apo më të hollësishme dhe/ose plotësuese lidhur me argumentimin.

Çështja që shtrohet për referendum:

Shfuqizim i një pjese të Ligjit Nr. 10463, Datë 22.09.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” , përkatësisht Nenet  22 “Rrjeti i integruar i impianteve të trajtimit të mbetjeve”, pika 3 dhe Neni 49 “Importi i mbetjeve jo të rrezikshme”.

Pyetja që shtrohet për votim:

A duhet lejuar importi i mbetjeve në territorin e Republikës së Shqipërisë ?

 

Në përputhje me ligjin, kërkojmë shqyrtimin dhe pranimin e kërkesës duke vijuar proçedurat sipas parashikimeve ligjore për zhvillimin e referendumit. Në çdo rast jemi të gatshëm për të plotësuar, sqaruar apo bashkëpunuar për shqyrtimin e plotë dhe të gjithanshëm të kësaj kërkese.

*****

Nismëtarët (vijojne firmat)

Burimi: http://www.shekulli.com.al

Share this post

© 2008 DurresWeb.com | Joomla Template by vonfio.de