>

Nafta virgin, prokuroria prova për “kontrabandë” edhe gjatë vitit 2010

User Rating:  / 0
PoorBest 

Hetuesit konstatojnë në shkresa se nafta dërgohej jashtë Shqipërisë

“Kontrabanda e naftës virgin është bërë edhe në vitin 2010”, ky është konkluzioni i Prokurorisë së Tiranës. Burime konfidenciale nga organi i akuzës thanë për gazetën “Shqip” se ndërsa po i afrohen përfundimit të shqyrtimit të dokumentacionit për 6- mujorin e parë të vitit 2010, hetuesit kanë hasur në prova shkresore se gjoja nafta dërgohej jashtë Shqipërisë. Por kjo ekziston vetëm në letër, pasi nuk ka asnjë provë që të vërtetojë daljen e naftës virgin jashtë kufirit shtetëror. Hetuesit po përgatiten të përfundojnë hetimin për këtë çështje pas një pune voluminoze në këqyrjen e dokumentacionit.

 

Pak kohë më parë nga Njësia e Përbashkët Hetimore pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Tiranës (Task-Forcë) u tha se hetimi i kontrabandës së naftës virgin do të shtrihej deri në vitin 2010.

Njësia Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës deklaroi se po verifikonte sasitë e naftës virgin edhe në gjashtëmujorin e parë të vitit 2010, pasi dyshohej se sasi të mëdha të nënproduktit të naftës ishin prodhuar dhe shitur një kompanie të njohur, e cila ka kontraktuar disa firma të tjera private, për të kryer edhe përzierjen, duke ua shitur shqiptarëve me një çmim shumë të lartë. Akuza nisi punën për verifikimin e të gjitha shifrave të marra nga kompanitë e përfshira në këtë skandal dhe të dhënat iu servirën kontabilistëve privatë, që janë duke përfunduar llogaritjen e së gjithë sasisë së naftës virgin të hedhur në tregun e hidrokarbureve në Shqipëri, që më pas është konsumuar nga automjetet e qytetarëve, duke iu shkaktuar këtyre të fundit dëm të konsiderueshëm. Nuk mungojnë edhe rastet kur nafta virgin u është shitur edhe institucioneve shtetërore që kanë lidhur kontrata me firmat që e tregtonin atë.

Nga ana tjetër, organi i akuzës po verifikon rolin e institucioneve të tjera që kanë pasur dijeni për këtë kontrabandë, siç janë Tatimet, Doganat dhe vetë Policia e Shtetit, e cila nuk ka kryer asnjë ndalesë për autobotet që transportonin këtë nënprodukt të naftës nga rafineritë e Ballshit në depozitat e përzierjeve në Durrës, Lushnjë dhe Golem.

Po sipas prokurorisë, dyshohet se firmat që merreshin me këtë nënprodukt kanë hedhur në treg mijëra litra naftë virgin, e cila ndalohet të hidhet në tregun shqiptar, në një periudhë trevjeçare (2007-2010).

Akuza zyrtarisht ka thënë se nafta merrej nga rafineria e Ballshit dhe me autobote, kryesit me kapacitet 5-10 mijë litërsh, transportohej drejt e në cisternat e një kompanie private në Durrës. Është vërtetuar se itinerari është kryer me mijëra herë, ndërsa firmat private mësohet se përdornin rreth 10 autobote për të formuar autokolonën që transportonte këtë nënprodukt. Pasi ka marrë në dorë dokumentet e dy firmave private, hetuesit deklaruan se është parë se në faturat doganore dhe tatimore shkruhej se kjo sasi do të dërgohej për eksport. Por në të vërtetë, ka ndodhur krejt e kundërta, pasi virgin është përzier në Shqipëri, është shitur po këtu, duke dëmtuar interesat e konsumatorëve dhe të shtetit, pasi ky i fundit i ka rimbursuar firmat private vetëm referuar faturave doganore dhe tatimore.

Pak kohë pas verifikimeve nga prokuroria të dokumentacionit, dy administratorët e firmave të dyshuar se kanë kryer këtë aktivitet, u vunë në pranga nga policia, me vendim të Gjykatës së Tiranës. Po kështu u regjistrua edhe procedimi penal nr. 4155, datë 13 tetor 2010 për veprat penale të “mashtrimit me pasoja të rënda”, “shpërdorimit të detyrës”, “falsifikimit të dokumenteve” dhe “pastrimit të produkteve të veprës penale”.

Burimi: http://www.gazeta-shqip.com nga Luan Kondi

 

© 2008 DurresWeb.com | Joomla Template by vonfio.de